Një 15-vjeçar ka humbur jetën pas një konflikti të dhunshëm në qytetin e Marsbergut, në Gjermani. Sipas gazetës gjermane Bild, viktima, i identifikuar si Brian, u godit me thikë gjatë përleshjes.
Sipas të njëjtit burim, policia gjermane ka shpallur në kërkim dy të rinj, një shtetas shqiptar 23-vjeçar, Albin Bejtullahu, dhe një shtetas grek 22-vjeçar, Alex Olntasi.
Ngjarja dyshohet se nisi pas një konflikti lidhur me një vajzë, e cila, sipas raportimeve, i kishte një prej të dyshuarve një borxh prej 200 eurosh. Të rinjtë dyshohet se i janë afruar vajzës për t’i kërkuar paratë.
Sipas Bild, 15-vjeçari Brian dhe një shok i tij ndërhynë në situatë. Gjatë përleshjes, Brian u godit me thikë dhe ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa shoku i tij pësoi plagë të rënda në fytyrë.
Policia gjermane ka publikuar fotografitë e dy personave të kërkuar dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion për vendndodhjen e tyre të kontaktojnë autoritetet.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.




