Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku 15-vjeçari Manuel Korreshi ka humbur jetën pas një aksidenti rrugor në provincën e Vicenzës. Ngjarja ndodhi përgjatë rrugës provinciale në Barbarano Mossano, kur i riu po kthehej në shtëpi me biçikletë gjatë orëve të natës dhe u përplas nga pas nga një automjet që lëvizte në të njëjtin drejtim.
Pas përplasjes së fortë, 15-vjeçari u transportua me urgjencë drejt spitalit San Bortolo në Vicenza, ku u shtrua në terapi intensive në gjendje mjaft të rëndë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë disa orë më vonë. Drejtuesi i automjetit ndaloi në vendngjarje dhe u deklaroi karabinierëve se errësira e natës ia kishte pamjaftuar shikimin, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes dhe kushtet e ndriçimit të biçikletës.
Manuel Korreshi jetonte me familjen në Castegnero Nanto, ishte nxënës në Vicenza dhe aktivizohej si futbollist me ekipin e të rinjve të Este në provincën e Padovës. Humbja e tij e parakohshme ka sjellë reagime të shumta dhimbjeje nga familjarët, shokët e skuadrës dhe drejtuesit e pushtetit vendor, të cilët shprehën ngushëllimet për këtë ngjarje tragjike.




