Një 25-vjeçar shqiptar me banim në Torino ka mbetur i vrarë me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë një tentative për të hyrë në një banesë në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos në Itali.
Sipas të dhënave të para nga mediat italiane, një grup prej 4 deri në 5 personash ka depërtuar në oborrin e pronës rreth orës 02:00 të mëngjesit. Pronari i banesës, shtetasi italian Roberto Mollo, i cili ndodhej i vetëm në shtëpinë e prindërve të tij, ka dëgjuar zhurmat dhe ka dalë për të kontrolluar oborrin i armatosur me një pistoletë gjysmëautomatike që e posedonte me leje ligjshme.
Në kushtet e errësirës dhe pas përballjes së papritur me grupin e personave të paautorizuar, Mollo ka hapur zjarr duke qëlluar disa herë në drejtim të tyre. Si pasojë e të shtënave, 25-vjeçari shqiptar ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëpunëtorët e tij janë larguar me shpejtësi. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar rrethanat ligjore të përdorimit të armës nga pronari i banesës.




