Përkeqësohet gjendja e të plagosurit nga atentati në Sarandë: Niset urgjent me helikopter drejt Tiranës

Xhevdet Skëndaj, 73-vjeçari që mbeti i plagosur rastësisht gjatë atentatit me armë zjarri të regjistruar mëngjesin e sotëm në qendër të Sarandës, është nisur me urgjencë me helikopter drejt Spitalit Traumatik në Tiranë. Për shkak të dëmtimeve të marra, mjekët kanë vlerësuar të nevojshme transportimin e tij drejt kryeqytetit për trajtim më të specializuar mjekësor.

I moshuari ndodhej si kalimtar rasti në zonën e ish-agjencisë kur dy persona të maskuar me motor hapën zjarr në drejtim të 44-vjeçarit Artan Myrtaj, i cili mbeti i vdekur në vend. Viktima rezultonte person me precedentë penalë dhe i përfshirë në një plagosje të dyfishtë të ndodhur në korrik të vitit 2025 në po të njëjtin qytet.