SARANDA- Artan Myrtaj është 44-vjeçari që u ekzekutua ditën e sotme me armë zjarri në qendër të Sarandës. Ai njihej ndyshe edhe me nofkën “Tani Ruzhdiut”, dhe rezulton si i përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në 17 korrik 2025 në lagjen nr.4 të Sarandës, ku u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj nga Kamza.
Autori i plagosjeve ka qënë Ramadan Zoto, ndërsa Klaus Jaçaj së bashku me Erjon Jaçaj dhe Artan Myrtaj bashkëpunuan me të dhe e ndihmuan pas ngjarjes që të arratisej. Fill pas kësaj ngjarje, në Sarandë ka pasur një sërë episodesh hakmarrjeje, ku Isuf Jaçaj, i ati i Klaus Jaçajt u vra me tritol si dhe ka patur një rast të shkatërrimit të pronës së Ramadan Zoto.
Sipas informacioneve paraprake, Ramadan Zoto aktualisht po vuan dënimin me burg për plagosjen e Ernest Lama dhe Gëzim Hajdarajt, ndërsa viktima e ditën së sotme Artan Myrtaj së bashku me Klaus Jaçaj ishin të akuzuar për “përkrahje të autorit” dhe ishin lënë të lirë para pak kohësh. Mësohet se Myrtaj ishte përdorues i lëndëve narkotike, dhe kishte precedent të mëparshëm penal për ‘vjedhje’, sakaq, në kërkim mbetet Erjon Canaj.





