Policia e Shtetit ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e Ergys Agasit, një prej personave të shpallur në kërkim në kuadër të dosjes së AKSHI-t.
Së bashku me të është arrestuar ish-zyrtari i policisë, Uljan Shpataraku.
“Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), finalizuan operacionin e koduar “The wanted”. Si rezultat i operacionit, në Durrës u kap shtetasi E. A., i shpallur në kërkim nga SPAK-u. Në kuadër të operacionit, u kap dhe u arrestua edhe shtetasi U. Sh., i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me personin e kërkuar E. A.”, tha policia.
Agasi është pikasur fillimisht nga efektivët e Forcës Operacionale në Elbasan dhe më pas ndjekja ka vijuar nga Peqini, Rrogozhina dhe në Durrës, ku edhe është arrestuar në zonën e Plepave së bashku me Shpatarakun.
Më 6 gusht, Uljan Shpataraku u shpall në kërkim nga Policia e Himarës. Ish-zyrtari policor, një nga njerëzit më të afërt të ish kryepolicit Ilir Proda ishte kallëzuar nga punonjësit e një hoteli në zonën e Dhërmiut të cilët pretendonin se ishin kanosur e kërcënuar nga Shpatarku. Pas një debati verbal, punonjësit pretenduan se i kishte kërcënuar me jetë.
Më 20 maj Shpataraku u përjashtua nga Policia e Shtetit me urdhër të drejtuesit Skënder Hita, pasi më parë ishte pezulluar. Shpataraku mbante detyrën e asistentit në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit në Policinë e Shtetit.
Për dosjen e AKSHI-t janë nën hetim edhe ish-drejtuesja e institucionit Mirlinda Karçanaj si dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i arrestuar një muaj më parë në Francë.
Ndaj të hetuarve janë ngritur akuza për disa vepra penale, përfshirë grup i strukturuar kriminal, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme të lirisë, shkelje e barazisë në tendera, si dhe pastrimin e parave.




