TIRANA- Situata me zjarret në vend vijon të jetë problematike ndërsa, Ministria e Mbrojtjes ka dhënë një tjetër përditësim mbi situatën e zjarreve. Përmes një njoftimi zyrtar Mbrojtja bën me dije se janë evidentuar 7 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.
Në terren janë angazhuar rreth 130 forca operacionale vendore, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Vatrat kryesore aktive janë në Dajt dhe Priskë, Tiranë, Lufaj, Mirditë, Tërbun–Gojan, Pukë dhe Shashicë, Selenicë.
Situata më e ndjeshme paraqitet në Tërbun–Gojan, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit. Ndërkohë, në Gurë-Lurë zjarri është shuar dhe zona mbahet nën monitorim, ndërsa në Qafë Helmes vatra është izoluar dhe vijojnë operacionet me forcat lokale.
Ministria e Mbrojtjes – përditësim mbi situatën e zjarreve.
Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00, janë evidentuar 7 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim. Në terren janë angazhuar rreth 130 forca operacionale vendore, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat kryesore aktive janë në Dajt dhe Priskë, Tiranë, Lufaj, Mirditë, Tërbun–Gojan, Pukë dhe Shashicë, Selenicë. Në Dajt vijon operacioni me 50 efektivë të FA, 15 forca të MZSH dhe 5 forca të AZM, ndërsa në Priskë vijojnë të jenë të pranishme forcat e MZSH. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Lufaj, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët, me angazhimin e Shërbimit Pyjor dhe MZSH, pa rrezik për banesat. Situata më e ndjeshme paraqitet në Tërbun–Gojan, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit. Forcat operacionale vijojnë punën në terren dhe MZSH është përqendruar në mbrojtjen e banesave. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Gurë-Lurë zjarri është shuar dhe zona mbahet nën monitorim, ndërsa në Qafë Helmes vatra është izoluar dhe vijojnë operacionet me forcat lokale. Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë angazhimin e koordinuar në të gjitha vatrat, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave dhe izolimin e plotë të zjarreve aktive.




