Grupi i Mbarëvajtjes dhe Koordinimit të Protestës i është drejtuar Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe një sërë institucionesh europiane e ndërkombëtare me një kërkesë për dërgimin e vëzhguesve të pavarur në protestat e ardhshme.
Grupi kërkon që ndërkombëtarët të ndjekin nga afër protestat, të dokumentojnë zhvillimet në terren dhe të verifikojnë mënyrën e trajtimit të protestuesve nga autoritetet shqiptare.
Kërkesa i është drejtuar Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian, Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Evropës, Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, si dhe përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri.
Në dokument, grupi argumenton se protestat, të nisura prej fundit të muajit maj, kanë ruajtur sipas tyre karakter qytetar dhe paqësor, ndërsa shprehet shqetësimi për mënyrën se si autoritetet kanë reaguar ndaj protestuesve.
Grupi koordinator ngre pretendime për përdorim të forcës, gazit lotsjellës, sprajit me piper dhe ujit me presion gjatë protestave përpara Kuvendit të Shqipërisë.
Autorët e kërkesës pretendojnë gjithashtu se në disa raste përdorimi i gazit lotsjellës nuk është paraprirë nga paralajmërime publike dhe se janë raportuar raste të përdorimit të forcës gjatë arrestimit dhe transportimit të protestuesve.
Një tjetër shqetësim i ngritur në dokument lidhet me personat vulnerabël. Sipas grupit, gjatë ndërhyrjeve policore janë prekur edhe persona me probleme shëndetësore, të rinj, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara.
Përmes këtij komunikimi, grupi kërkon që institucionet ndërkombëtare të dërgojnë vëzhgues të pavarur në protestat e ardhshme, me qëllim dokumentimin e zhvillimeve në terren dhe verifikimin e pretendimeve për përdorim joproporcional të forcës, shoqërime, procedime dhe intimidim të protestuesve.
Në dokument thuhet se kërkesa për ndërhyrje ndërkombëtare vjen pas, sipas grupit, mungesës së një përgjigjeje efektive nga institucionet shqiptare ndaj shqetësimeve të ngritura më herët.
Grupi kërkon gjithashtu krijimin e një kanali të qëndrueshëm komunikimi me mekanizmat ndërkombëtarë dhe vëzhgim të pavarur të protestave, duke e konsideruar praninë e tyre një garanci shtesë për dokumentimin objektiv të situatës dhe respektimin e të drejtave të protestuesve.




