PALASË – Tre persona janë shpëtuar nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare në Palasë, pasi rrezikuan të mbyteshin në det për shkak të përkeqësimit të motit.
Sipas Policisë, tre shtetaset kishin dalë në det me kanoe, por përkeqësimi i kushteve atmosferike dhe deti i trazuar ua vështirësuan kthimin në breg.
Ngjarja u konstatua gjatë patrullimit të shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në sektorin e Palasës. Pas identifikimit të situatës, efektivët ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë tre personave.
Operacioni përfundoi me nxjerrjen e tyre në breg, ndërsa sipas autoriteteve, të treja janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk paraqesin rrezik për jetën.
Pas ndërhyrjes, ato kanë falënderuar punonjësit e Policisë për ndihmën dhe reagimin në kohë.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare u kanë bërë thirrje pushuesve dhe përdoruesve të mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të marrin në konsideratë parashikimet e motit dhe kushtet e detit përpara se të dalin në ujë.
Autoritetet theksojnë se dalja në det duhet shmangur kur kushtet atmosferike dhe detare paraqesin rrezik për sigurinë.




