Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti tragjik i ndodhur në fshatin Delisufaj të Lushnjës, ku dy motra kanë humbur jetën pasi automjeti me të cilin udhëtonin përfundoi në një kanal vaditës të mbushur me ujë.
Viktimat janë identifikuar si Mirela Hasko, 50 vjeçe, dhe motra e saj, Florije Xhepa, 53 vjeçe.
Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ka ndodhur në dalje të fshatit. Dy motrat dyshohet se nuk kanë mundur të marrin kthesën për t’u futur në urë, duke bërë që automjeti të dalë nga rruga dhe të përfundojë në kanalin vaditës.
Për shkak se kanali ishte i mbushur me ujë, dy gratë kanë mbetur të bllokuara brenda automjetit dhe kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe ambulancat, ndërsa trupat e viktimave janë nxjerrë nga automjeti dhe janë transportuar drejt morgut të Lushnjës.
Grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për të përcaktuar me saktësi rrethanat dhe shkakun e aksidentit tragjik.




