U mor peng nga ish-burri pasi i vrau të atin dhe i plagosi nënën, lirohet Rozalinda Plaka

ROSKOVEC- 35-vjeçari Refit Buzi, i dyshuari për vrasjen e ish-vjehrrit dhe plagosjen e ish-vjehrrës në Fier, ka liruar ish-të fejuarën, të cilën dyshohet se e kishte marrë me forcë pas ngjarjes.

Pas negociatave të zhvilluara për disa orë me efektivët e forcave speciale RENEA, Buzi ka pranuar të lirojë gruan, ndërsa operacioni vijon për neutralizimin dhe shoqërimin e tij në polici.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari dyshohet se hyri në banesën e ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, dhe e qëlloi me armë gjahu, duke i shkaktuar vdekjen. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe ish-vjehrra e tij, Belere Plaka. Pas krimit, autori i dyshuar u largua nga vendngjarja me automjet së bashku me ish-të fejuarën.