ROSKOVEC- Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë më Roskovec, ku 35-vjeçari Refit Buzi dyshohet se vrau ish-vjehrrin e tij dhe plagosi ish-vjehrrën, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes së bashku me ish-të fejuarën.
Vëllai i viktimës ka deklaruar se krimi dyshohet të ketë qenë i paralajmëruar dhe i paramenduar. Sipas tij, Buzi kishte kërcënuar më herët familjen, duke u shprehur se nëse marrëdhënia me ish-të fejuarën nuk do të rikthehej, ai do të hakmerrej ndaj tyre.
“Dëgjuam vetëm zhurmë dhe që bërtisnin brenda. Ne nuk mund të hynim sepse nuk kishim armë. Ai thoshte: ‘Ejani se do t’ju vras të gjithëve’. Policia ka ardhur pas një ore. E mori djali në telefon. Autori ishte i armatosur. Doli nga dritarja, nga pjesa e pasme e shtëpisë, sepse e kishte lënë aty makinën. Mori dhe çupën me vete dhe iku. Vajza qëndronte këtu. Kishin vite të fejuar, por kishin probleme. Ka shkuar 3 herë në polici, është arrestuar. Shkoi në Tiranë para disa muajsh me armë lodër dhe e futën brenda. Tani ishte në arrest shtëpie, kërcënonte gjithmonë. I thoshte vajzës: ‘Ti do të vish tek mua, pa mua ti nuk e bën dot jetën’. Bënte shantazhe. Kjo ishte një vrasje e paramenduar,” tha vëllai i viktimës.




