Janë zbardhur identitetet e personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë që tronditi mëngjesin e kësaj të premteje fshatin Vidhisht, në Fier.
Sipas informacioneve paraprake, Refit Buzi dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, i cili ka humbur jetën në vendngjarje.
Po ashtu, nga të shtënat ka mbetur e plagosur edhe Belere Plaka, e cila është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore.
Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i krimit, ndërsa policia ka nisur një operacion për kapjen e tij. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Roskovec/Informacion paraprak Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes




