Lihet në “arrest shtëpie” Altin Hila, simboli i protestës me djalin e paralizuar: “Rama të reflektojë”

TIRANË – Është liruar nga masa e sigurisë “arrest shtëpie” Altin Hila, babai që u bë simbol i protestës së fundit pasi u shfaq në tubim së bashku me djalin e tij të paralizuar.

Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, Hila është lënë i lirë nga ambientet e ndalimit dhe ka dhënë një reagim për mediat, ku i është drejtuar kryeministrit Edi Rama me një thirrje për reflektim.

“Rama, nëse duhet të reflektojë ndonjëherë në jetë, duhet të reflektojë për këta njerëz që herë jemi rritur me bukë e herë pa bukë. Bëje për patriotizëm”, u shpreh ai për News24.

Vendimi i gjykatës vjen pas seancës për 19 protestuesit e arrestuar gjatë përplasjeve në protestën e zhvilluar më 2 korrik, ku u përcaktuan masa të ndryshme sigurie.

Sipas vendimit, 12 protestues u lanë në masën “detyrim për paraqitje”, ndërsa 5 të tjerë u liruan pa asnjë masë sigurie.

Për dy prej të arrestuarve, Everest Bardh dhe Ervin Gega, gjykata caktoi masën “arrest shtëpie”, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për “arrest në burg”, me argumentin se dyshohet se kanë kryer akte dhune gjatë protestës, përfshirë dëmtimin e një automjeti të policisë.