Debora, një turiste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shpëtoi aksidentit tragjik në aksin Tiranë-Durrës, nga i cili mbeti viktimë shoferi 36-vjeçar dhe u plagosën 12 të tjerë. Në një prononcim për mediat ajo rrëfen momentet e frikshme të aksidentit kur mjeti nisi të përmbyset dhe pasagjerët nisën të bërtasin. Ajo thotë se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash dhe se njerëzit e gjakosur po bërtisnin.
Debora e cila ndodhet në Shqipëri për pushime, tha se ishte nisur drejt Tiranës, pasi të nesërmen do të kthehej në SHBA. Pas aksidentit, turistja tregon se banorët e zonës dhe drejtues të tjerë mjetesh u erdhën menjëherë në ndihmë të të plagosurve, duke vlerësuar solidaritetin e shqiptarëve.
Për shoferin i cili dyshohet se ka pësuar infarkt, e pyetur nga gazetarët, turistja thotë se autobusi “lëvizte paksa në mënyrë të paqëndrueshme”. Ajo bashkë me një turist nga Kolumbia shpëtuan pa dëme të rënda, ndërsa thekson se pasagjerët që ishin ulur nga ana e majtë, në të cilën ka depërtuar edhe barriera metalike e rrugës, kanë marrë plagë të rënda.
Dëshmia e turistes
Turistja: Po shikoja poshtë dhe më pas ngrita kokën. Ndjeva autobusin që po dilte nga rruga. Kur ngrita sytë, gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Papritur autobusi u përmbys në krah dhe njerëzit nisën të bërtisnin. Gjaku po më pikonte, sepse unë isha në anën e poshtme.
Fillimisht kontrollova nëse isha mirë, pastaj dola jashtë. Pas meje po dilte edhe një person tjetër dhe ne dolëm nga pjesa e pasme e autobusit. Njerëzit ishin të gjakosur, bërtisnin. Menjëherë erdhën për të ndihmuar njerëzit nga ndërtesa aty pranë. Ndaluan edhe makinat. Shqiptarët janë njerëz të mrekullueshëm, më sollën ujë. Kjo ishte e gjitha. Unë pata shumë, shumë fat. Falë Zotit…
Gazetari: Ju jeni i vetmi që nuk ndodheni në spital?
Turistja: Po. Ishte edhe një djalë nga Kolumbia, në Amerikën e Jugut, dhe unë jam nga Shtetet e Bashkuara. Për të tjerët nuk e di, por besoj se do të… Arrita të marr të gjitha sendet e mia, gjithçka. Edhe kjo fotografi i mbijetoi aksidentit. Ishte e pabesueshme. Kush do ta kishte menduar?
Gazetari: Cili ishte destinacioni juaj?
Turistja: Nesër kthehem në SHBA. Fluturoj nga këtu për në Londër dhe më pas nga Londra për në Amerikë.
Gazetari: Keni ndonjë problem?
Turistja: Jo.
Gazetari: Jeni mirë?
Turistja: Po.
Gazetari: Mirë.
Turistja: Më duket se…
Gazetari: Po ajo plagë?
Turistja: Është e vjetër. Nuk e kam parë mirë fytyrën. E kam fshirë pak, por kisha gjak nëpër këmbë, megjithëse nuk ishte gjaku im. Mezi pres të shkoj në dhomë dhe të bëj një dush.
Gazetari: Si ishte shoferi i autobusit?
Turistja: Nuk e di. Gjatë gjithë rrugës ai lëvizte paksa në mënyrë të paqëndrueshme. Mendova se ndoshta ishte normale për autobusin, por nuk e di.
Gazetari: Kishte kondicioner?
Turistja: Po. Por ai e kishte hapur pak pjesën e sipërme që të hynte ajër.
Gazetari: Në cilën anë ishit ulur?
Turistja: Isha ulur në anën e djathtë, në sediljen e dytë. Mu duk se personat që u plagosën më rëndë ishin në anën e majtë të autobusit. Edhe i riu nga Kolumbia ishte në anën e djathtë. Shoferi humbi jetën. Ata që ishin në anën e majtë duket se pësuan plagë të rënda.
Gazetari: Si ishte përvoja juaj në Shqipëri?
Turistja: Deri në këtë moment ishte e mrekullueshme. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Më pëlqeu shumë. Fatkeqësisht, ky aksident është ajo që do të më mbetet në kujtesë. Por nuk ishte faji i askujt. Ishte thjesht një nga ato ngjarje që ndodhin.




