Qytetarët e Elbasanit ngrenë shqetësimin për temperaturat në rritje: Betonizimi dhe mungesa e gjelbërimit ndër faktorët kryesorë

Screenshot

Temperaturat e larta po ndihen gjithnjë e më herët në Elbasan. Sipas qytetarëve, vapa, e cila dikur karakterizonte muajt e verës, tashmë nis që në maj, duke e bërë përballimin e ditëve të nxehta gjithnjë e më të vështirë.

Në intervistat e dhëna për elbasani.on, shumë qytetarë shprehen se ndryshimet klimatike po reflektohen ndjeshëm edhe në qytetin e Elbasanit. Ata rendisin betonizimin dhe pakësimin e hapësirave të gjelbra si ndër faktorët që, sipas tyre, kanë ndikuar në rritjen e temperaturave.

“Dikur temperaturat në Elbasan nuk shkonin më tepër se 36, gjatë kohës më të nxehtë, pra korrik, gusht. Tani shkon 38 që në qershor.”- u shpreh një qytetar.

Screenshot

“Muaji maj ka bërë vapë edhe qershori njësoj. Korriku historikisht ka qenë muaji më i nxehtë. Në bulevard nuk kalohet, pllaka e beton ngado. S’ka pasur dikur kaq pallate, i prene pemet për të bërë pallate.”- tha një qytetar duke nxjerrë në pah problemin e betonizimit.

“Edhe parku që ka qenë pa beton, e betonizuan. Presin pemë për të ndërtuar objekte e zbatuar projekte.”- theksoi një i moshuar.

Screenshot

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre është mungesa e ujit në çezmat publike, të cilat, sipas qytetarëve, janë të pamjaftueshme për të përballuar ditët me temperatura të larta, veçanërisht për të moshuarit dhe kalimtarët.

“Nuk ka ujë fare, duhet tërrish një gjysëm ore për të mbushur bidonin. Pardje isha në bashki, u ankova për mungesën e ujit në çezmat publike”- u shpreh një qytetar.

Screenshot

“I kemi harruar ato akujt që krijoheshin në çati nga rrjedhja e ujit sepse ngrohja e globale ka bërë të vetën. Elbasanin e shkatërroi metalurgjiku. Edhe betonizimi, mbetjet, mungesa e hapsirave të gjelbra e rëndojnë situatën”- tha një i moshuar.

Banorët kërkojnë më shumë investime në shtimin e hapësirave të gjelbra, mbjelljen e pemëve dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, duke i konsideruar këto masa të domosdoshme për zbutjen e efekteve të temperaturave të larta dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet.