PRRENJAS – Banorët e lagjes Ish-Miniera, në Zonën Industriale të Prrenjasit, prej tre ditësh vijojnë të jenë pa energji elektrike, ndërsa denoncojnë mungesën e informacionit të qartë dhe vonesat në rikthimin e furnizimit.
Sipas banorëve, ndërprerja e energjisë ndodhi pasditen e së premtes, rreth orës 17:20. Menjëherë pas avarisë, ata kontaktuan nënstacionin elektrik të Prrenjasit dhe strukturat e OSHEE-së në Elbasan, ku fillimisht u është komunikuar se energjia do të rikthehej rreth orës 20:00 të së njëjtës ditë.
Megjithatë, pas orësh pritjeje dhe telefonatave të shumta, banorët janë njoftuar se shkak i ndërprerjes ishte djegia e një transformatori. Sipas tyre, u është premtuar se defekti mund të riparohej gjatë ditës së diel, nëse do të realizohej zëvendësimi i pajisjes.
Edhe dita e diel kaloi pa zgjidhje. Banorët thonë se kontaktuan më pas edhe strukturat qendrore të OSHEE-së në Tiranë, ku u është komunikuar se nuk kishte informacion për këtë avari. E njëjta përgjigje, sipas tyre, është marrë edhe nga OSHEE Elbasan, ku është pretenduar se nuk kishte një njoftim zyrtar nga nënstacioni i Prrenjasit për vijimin e problemit.
Situata mbetet e pandryshuar edhe këtë të hënë. Banorët shprehen se nga strukturat përkatëse u është bërë e ditur se ende nuk ka një afat konkret për rikthimin e energjisë elektrike, pasi ndërkohë janë raportuar edhe defekte të tjera me transformatorë në qytetin e Elbasanit, duke vështirësuar ndërhyrjet teknike.
Mungesa e energjisë ka prekur një zonë të gjerë, ku përfshihen lagjja Ish-Miniera, Zona Industriale e Prrenjasit, gjimnazi “Halit Berzeshta”, si dhe zona e ish-Hoteleve të Punëtorëve. Banorët thonë se ndërprerja e zgjatur ka krijuar vështirësi serioze në jetën e përditshme, ndërsa bizneset dhe institucionet e zonës po përballen me pengesa në aktivitetin e tyre.
Reagimi i OSHEE-së
Në një reagim lidhur me situatën, OSHEE bën me dije se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me banorët dhe sqaron se transformatori i ri është vendosur gjatë ditës së djeshme, por është djegur sërish rreth një orë pas vënies në funksion, duke bërë të pamundur rikthimin normal të furnizimit me energji.
Sipas institucionit, aktualisht është duke u transportuar një vinç, i cili do të përdoret për montimin e një transformatori tjetër, me synimin që energjia elektrike të rikthehet sa më shpejt në zonën e prekur.
Ndërkohë, banorët kërkojnë një reagim më të shpejtë nga institucionet përgjegjëse dhe më shumë transparencë në komunikim, duke theksuar se prej tre ditësh kanë marrë informacione kontradiktore dhe ende nuk dinë se kur do të normalizohet furnizimi me energji elektrike.




