Protestë në Kakome! Banorët shembin rrethimin pas 22 vitesh

VLORË- Një protestë ka shpërthyer këtë të diel në gjirin e Kakomesë, ku banorët e zonës, pronarë tokash nga Nivica e Shën Vasili, emigrantë dhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria janë bashkuar për të thyer një izolim që zgjati prej më shumë se dy dekadash.

Mësohet se, protestuesit kanë shembur rrethimin që për 22 vite me radhë mbante të bllokuar një prej pasurive natyrore më të çmuara të rivierës shqiptare.

Sipas banorëve, ky gardh metalik jo vetëm që u ka mohuar të drejtën për të shkuar në tokat e tyre të trashëguara, por ka shërbyer edhe si një barrierë që ndalonte pushuesit vendas e të huaj të vizitonin plazhin e Kakomesë.

“Ne jemi këtu për të rrëzuar çdo pengesë që na ka ndaluar të shkojmë në tokat tona. Sot sovrani foli dhe dha verdiktin e tij”, shprehen banorët.