Pesë ditë që na kthyen shpresën

Nga Bardha Nergjoni

Pesë ditë të bukura lirie. Pesë ditë me njerëz që na treguan se mentalitetet mund të ndryshojnë, se qytetarët ende dinë të ngrihen, të flasin dhe të mos pranojnë gjithçka si të pandryshueshme.

Ajo që arritëm të tregojmë këto ditë ka një kuptim të madh: Elbasani nuk është një qytet i mbaruar. Nuk është ai qyteti për të cilin dëgjojmë çdo ditë në kafene, ai që na e përshkruajnë të tjerët dhe që politika përpiqet të na bëjë ta besojmë. Për vite me radhë na është servirur ideja se nuk ka alternativë, se nuk ka shpresë, se duhet vetëm të zgjedhim mes të njëjtëve njerëz dhe të njëjtave premtime.

Por këto ditë treguan diçka tjetër.

Treguan se ka qytetarë që refuzojnë të heshtin. Treguan se ka njerëz që kërkojnë më shumë nga qyteti i tyre, nga institucionet e tyre dhe nga vetja e tyre. Treguan se shpresa nuk lind nga politika, por nga qytetarët që vendosin të mos qëndrojnë indiferentë.

Për shumë vite në karrierën time si gazetare kam menduar se po bëja detyrën time duke raportuar. Sot e kuptoj se nuk mjafton. Detyra jonë nuk është vetëm të tregojmë çfarë ndodh, por edhe të mos kthejmë kokën nga ana tjetër kur shohim padrejtësi. Të përdorim zërin tonë për t’u dhënë zë atyre që nuk dëgjohen, më të dobëtve, më të pamundurve, qytetarëve të thjeshtë që këto ditë folën me një emocion dhe sinqeritet që rrallë e gjen në skenat politike.

Ata më dhanë shpresë.

Më bënë të reflektoj më shumë se kurrë mbi atë që mund të bëjmë si media, si gazetarë dhe, mbi të gjitha, si qytetarë të këtij vendi. Sepse ndryshimi nuk fillon nga zyrat. Fillon nga njerëzit. Nga ata që ngrihen, flasin dhe veprojnë përballë çdo padrejtësie.

Faleminderit, Elbasan!

Për energjinë, guximin dhe besimin se gjërat mund të jenë ndryshe.

Nesër rrugëtimi vazhdon në Tiranë. Aty ku njerëzit e lirë kërkojnë, veprojnë, qëndrojnë dhe arrijnë.

Shihemi në Tiranë.

Nesër, më shumë se sot.