TIRANË- Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një market në zonën e Shkozës në Tiranë, duke shkaktuar dëme materiale. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur ambienti ka qenë i mbyllur dhe nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas të dhënave paraprake, marketi është në pronësi të Lulzim Likës, babait të Aldo dhe Ali Lika, dy personave të shpallur në kërkim për një atentat të ndodhur më 18 maj ndaj Kejdi Spajës, ku mbeti i plagosur edhe një punonjës policie, Anxhelo Kumaraku. Pranë marketit ndodhet gjithashtu një lokal në pronësi të të njëjtës familje.
Dyshimet e para të hetuesve e lidhin shpërthimin me motive hakmarrjeje, megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar për autorët apo shkaqet. Kamerat e sigurisë kanë kapur një person të maskuar që vendos lëndën plasëse dhe largohet në këmbë nëpër rrugicat e zonës, ndërsa policia vijon hetimet.













