Policia e Lushnjës ka arrestuar një 48-vjeçar të dyshuar për zjarrvënien në tregun e fruta-perimeve në qytet, ngjarje që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas policisë, i arrestuari është Klodian Çina, banues në Durrës, i cili ishte shpallur më herët në kërkim dhe është kapur pas një operacioni të përbashkët mes policisë së Lushnjës dhe asaj të Durrësit.
Hetimet tregojnë se ai dyshohet se i ka vënë zjarrin tregut në orët e para të 19 majit 2026 dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u fshehur në Durrës.
Po ashtu, dyshohet se 48-vjeçari ka vjedhur më herët një biçikletë në Lushnjë, të cilën e ka përdorur për lëvizje në qytet. Biçikleta është gjetur dhe sekuestruar si provë.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se pranë tij ka qenë edhe një person tjetër, por deri tani nuk ka prova që ai të jetë i përfshirë në zjarrvënie.
Materialet i janë kaluar Prokurorisë në Fier, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të parë nëse ka persona të tjerë të përfshirë.













