SHBA ndryshon rregullat për Green Card, aplikimet do të bëhen nga vendet e origjinës

Administrata amerikane ka vendosur ndryshime të reja në procedurat e aplikimit për Green Card, duke kërkuar që aplikantët për rezidencë të përhershme në SHBA të aplikojnë nga vendet e tyre të origjinës.

Sipas rregullores së re, mundësia për të aplikuar nga brenda territorit amerikan dhe për të ndryshuar statusin e qëndrimit do të lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Autoritetet amerikane të emigracionit bëjnë me dije se shtetasit e huaj që kërkojnë Green Card do të duhet të ndjekin procesin përmes ambasadave dhe konsullatave të SHBA-së në vendet e tyre, duke kufizuar aplikimet e brendshme në SHBA.

Rregulli i ri pritet të ndikojë kryesisht studentët, punëtorët e përkohshëm dhe turistët, të cilët deri më tani mund të aplikonin për ndryshim statusi gjatë qëndrimit në vend.

Sipas autoriteteve, qëllimi i ndryshimeve është të sigurohet që vizat jo-emigruese të përdoren vetëm për qëllime afatshkurtra dhe jo si hap drejt rezidencës së përhershme.

Në SHBA lëshohen mbi 1 milion Green Card çdo vit, ku një pjesë e konsiderueshme e aplikimeve realizohej nga persona që tashmë ndodheshin në territorin amerikan përmes ndryshimit të statusit.