Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të martë ndryshimin e çmimeve të karburanteve në vend, duke reflektuar ulje si për naftën, ashtu edhe për benzinën.
Sipas vendimit, çmimi i naftës (gazoil) është caktuar në 195 lekë për litër, me një ulje prej 2 lekësh krahasuar me vendimin e mëparshëm. Ndërsa benzina është caktuar në 182 lekë për litër, me një ulje prej 4 lekësh.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot në orën 13:20 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e radhës së bordit.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se çmimi i shitjes me shumicë për gazoilin është vendosur jo më shumë se 183 lekë për litër, ndërsa për benzinën jo më shumë se 170 lekë për litër.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregut për zbatim të detyrueshëm të vendimit, duke theksuar se në rast shkeljesh do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit.
Bordi thekson gjithashtu se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar në aktin normativ për akcizat, ndaj aplikohet niveli i plotë i akcizës në fuqi.
Njoftim për Shtyp
Bordi i Transparencës në datë 23 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi: Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 195 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 182 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 170 lekë/litër. Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 23 ora 13.20 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.













