Plagosja e policit Anxhelo Kumaraku, dyshohet se objektiv ishte fqinji që shoqëronte

Ngjarja që ndodhi mesnatën duke gdhirë dita e sotme në periferi të Tiranës dyshohet të ketë lidhje me një person të dytë i cili mendohet të ketë qenë në shënjestër të atentatit.

Punonjësi i policisë së Komisariatit nr 4 në Tiranë, A.K., 30 vjeç, u plagos kur persona të paidentifikuar hapën zjarr me armë duke i shkaktuar lëndime.

Autorët u larguan me një makinë tip BMW dhe ndërsa policia nisi kërkimet, deri tani nuk ka rënë në gjurmët të tyre.

Hetimet që po kryhen sugjerojnë se shënjestër e atentatit të ketë qenë fqinji dhe shkaku dyshohet të jetë te konflikte për prishje të pazareve të drogës.

Nga të dhënat e mbledhura aktualisht rezulton se polici ka qënë afër banesës së tij i shoqëruar nga fqinji, një person me masë sigurie “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje.

Në fokusin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, mendohet të jetë tani dhe shkaku përse punonjësi i policisë ishte i shoqëruar me personin që gjendej nën arrest shtëpie, por duket se kishte thyer vendimin e gjykatës duke dalë nga territori shtëpiak.

Pjesë e hetimit pritet të jetë dhe përse polici i plagosur nuk ka njoftuar eprorët për thyerjen e masës së sigurisë nga fqinji i tij nën masë sigurie me vendim gjykate.

Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit/ëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.