Rrëshqitjet e dherave bllokojnë plotësisht aksin Gramsh-Kukur, kamioni rrezikon të bjerë në humnerë

Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar dëmtime të mëdha në aksin rrugor Gramsh–Kukur, një segment problematik prej vitesh për banorët e zonës.

Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, një kamion i ngarkuar me mallra ushqimore për dyqanet e njësisë administrative Kukur ka mbetur i bllokuar në vendin e quajtur “Përroi i Pishave”, pasi një pjesë e rrugës ka rrëshqitur.

Mjeti ka mbetur i varur në buzë të rrugës, ndërsa drejtuesi i tij kërkon ndërhyrje urgjente, pasi ekziston rreziku që kamioni të shembet dhe të përfundojë në greminë.

Për shkak të situatës së krijuar, aksi rrugor është bllokuar plotësisht, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve dhe furnizimin e zonës. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për stabilizimin e rrugës dhe zhbllokimin e qarkullimit.