Aksidentohen me automjet dy të rinj 17 dhe 18 vjeç në Elbasan. Përfundojnë në spital

Një aksident është regjistruar ditën e sotme në Elbasan, ku dy të rinj të moshës 17 dhe 18 vjeç kanë mbetur të lënduar.

Sipas qytetarit që ka denoncuar ngjarjen në redaksinë tonë, në timon ndodhej 18-vjeçari, i cili kishte marrë patentën vetëm dy ditë më parë. Dyshohet se automjeti ishte marrë pa lejen e motrës së tij, ndërsa lëvizja e pakujdesshme ka bërë që ai të humbasë kontrollin, duke shkaktuar përplasjen e mjetit.

Përplasja ka sjellë dëme materiale, ndërsa dy të rinjtë që ndodheshin në automjet kanë mbetur të lënduar.

Menjëherë pas ngjarjes, një i ri që ndodhej në zonë ka ndërhyrë duke i transportuar me automjet drejt spitalit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.

Burime bëjnë me dije se të rinjtë ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahen nën kujdesin e mjekëve.

Ngjarja ngre sërish shqetësimin për drejtimin e automjeteve nga shoferë të rinj dhe të papërvojë, si dhe për rastet kur mjetet përdoren pa autorizimin e pronarëve një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë dhe që rrezikon seriozisht jetën në rrugë.