Autori i vrasjes së 48-vjeçarit Artur Cangu në Nikël të Fushë Krujës, Eduart Afmataj, dha dëshminë e parë përpara grupit hetimor, ku rrëfeu dinamikën e ngjarjes.
Burime bëjnë me dije se Eduart Afmataj deklaroi se, fillimisht mes tyre ka pasur një konflikt verbal, ku më pas, sipas autorit, Artur Cangu e ka goditur me një kosë të vogël në krah.
Pas kësaj, Eduard Afmataj ka deklaruar se, ka marrë çiften dhe e ka qëlluar 48-vjeçarin duke e lënë të vdekur.
Menjëherë pas krimit të kryer, ky i fundit ka lajmëruar Policinë duke i treguar për krimin e kryer dhe më pas është larguar.
Afmataj u arrestua pa u mbushur 24 orë nga ngjarja në vendin e quajtur Bruz Mal në Malësi Krujë ndërsa ishte fshehur në këtë zonë të thellë.
Sipas burimeve, në momentin e arrestimit Afmataj nuk ka bërë rezistencë ndaj forcave të Policisë ndërsa arma e krimit ende nuk është gjetur.













