Një 19-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në një kantier ndërtimi në Acton, Londër, pasi ra në një bosht ventilimi. Autoritetet britanike e kanë cilësuar ngjarjen si “plotësisht të shmangshme”.
Viktima, Renols Lleshi, ishte duke ndihmuar në çmontimin e skelave në kopshtin e çatisë së katit të 12-të të një pallati në ndërtim, pranë zonës së Ark Soane Academy, në Mill Hill Road.
Sipas hetimeve, i riu kishte shkelur mbi një bosht ventilimi, mbulesa e të cilit u shemb, duke bërë që ai të binte gjashtë kate më poshtë. Si pasojë e plagëve të marra, ai ndërroi jetë në vendngjarje.
Hetimi i kryer nga Autoriteti për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë (HSE) zbuloi se hapësira ishte mbuluar vetëm me një fletë kartoni gipsi dhe shkumë çatie, masa që konsiderohen të pamjaftueshme për garantimin e sigurisë.
Po ashtu, u konstatua se inspektimet rutinë të objektit nuk përfshinin zonën e kopshtit të çatisë, duke bërë që rreziku të mos identifikohej dhe punëtorëve të mos u jepej asnjë paralajmërim.
Familjarët e viktimës u shprehën se fakti që vdekja e tij ishte e shmangshme e bën humbjen edhe më të rëndë. Babai i të ndjerit deklaroi se, pavarësisht mirënjohjes për hetimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve, asgjë nuk mund ta rikthejë djalin e tyre apo të lehtësojë dhimbjen.
Kompania e ndërtimit “Jerram Falkus Construction Limited”, punëdhënësi i viktimës, pranoi shkeljen e rregullave për punën në lartësi. Ajo u gjobit me 42,200 paund, si dhe u detyrua të paguajë 2,000 paund shtesë dhe 5,000 paund shpenzime gjyqësore, sipas vendimit të Gjykatës së Magjistraturës së City of London.













