“Meshari” i Buzukut – pesë shekuj trashëgimi dhe zanafilla e dokumentimit të shqipes

Më 20 mars 1554, Gjon Buzuku nisi punën për hartimin e veprës “Meshari”, një tekst liturgjik që konsiderohet si monumenti themelor i fillimeve të dokumentimit të gjuhës shqipe.

Kjo vepër, nga e cila ekziston vetëm një kopje e zbuluar rastësisht në Bibliotekën e Vatikanit në vitin 1740, përfaqëson dëshminë më të hershme dhe më të plotë të shqipes së shkruar.

“Meshari” përbëhej fillimisht nga 110 fletë (220 faqe), ndërsa sot kanë mbetur të ruajtura 94 fletë (188 faqe). Në përpjekje për të përshtatur strukturën fonetike të shqipes, Buzuku përdori alfabetin latin të pasuruar me pesë shkronja të veçanta, duke dëshmuar një vetëdije të avancuar gjuhësore për shekullin XVI.

Shkrimi i veprës zgjati rreth një vit. Në parathënien e saj, autori shprehej për qëllimin e tij në ndriçimin e mendjeve të besimtarëve:

“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut… desha me u fëdigunë… me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë…”

Më tej, ai shënon kohën e përfundimit të veprës: “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor.”

Një moment i rëndësishëm në historinë e studimeve albanologjike u shënua në vitin 1929, kur françeskani At Justin Rrota solli nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit në Shqipëri tre riprodhime fotografike të “Mesharit”, duke e bërë më të aksesueshme këtë vepër themelore për studimin e shqipes së hershme.

“Meshari” mbetet sot një nga dëshmitë më të çmuara të trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore shqiptare, si dhe pikënisje e rëndësishme e historisë së shkrimit shqip.