8 të arrestuar për vrasjen e të miturit në Maliq, mes tyre babai dhe xhaxhai i autorit të dyshuar

Maliq, 15 gusht 2025 – Policia e Korçës ka zbardhur brenda pak orësh dinamiken e vrasjes së një 14-vjeçari, ngjarje e ndodhur dje në fshatin Pirg. Si rezultat i hetimeve intensive, u arrestuan tetë persona, mes tyre edhe autori i dyshuar, një bashkëmoshatar i viktimës, që dyshohet se e goditi me thikë gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Sipas policisë, 14-vjeçari i dyshuar u përpoq të largohej nga vendngjarja me automjet, por u ndalua në kohë. Në pranga ranë edhe babai dhe xhaxhai i tij, të cilët kishin fshehur mjetin prerës me të cilin u krye krimi, si dhe katër të mitur që, sipas hetimeve, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës me deklarimet e tyre. Po ashtu, u arrestua një 34-vjeçar, i pranishëm gjatë konfliktit, i cili u përpoq të largohej së bashku me autorin e dyshuar.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi thikën e përdorur në vrasje, automjetin e përdorur për t’u larguar dhe pesë telefona celularë. Autori i dyshuar, shtetasi E. G., 14 vjeç, u procedua për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Ai kishte pësuar lëndime të lehta gjatë konfliktit dhe u trajtua në spital, duke e lënë atë ditën e djeshme.

Babai dhe xhaxhai i tij, E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, akuzohen për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Katër të mitur nga fshati Zvirinë akuzohen për “Moskallëzim të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, ndërsa 34-vjeçari F. Ç., banues në fshatin Leminot, u arrestua për “Moskallëzim të krimit”.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme procedurale.