IRANË- Kevin Hajrulla, i cili mbeti i plagosur rëndë pas një atentati ndaj tij, është dërguar në spitalin e Traumës. I riu është transportuar te Trauma në Tiranë rreth orës 02:15 të 19 dhjetorit, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
Burimet thonë se ndaj kushëririt të Inez Hajrullës, të fortit të Vlorës, është qëlluar me të paktën 30 plumba. Nga breshëria e kallashit mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Armand Spahiu 35 vjeç, tregtar shumice i fruta perimeve. Fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut, ndërsa 29-vjeçari po lufton për jetën pasi ka marrë plagë të shumta në trup e në bark.
Një atentat i mirëmenduar, ndërsa autorët duket se e kanë vëzhguar 29-vjeçarin. Ata e pritën të parkojë një Benz ngjyrë gri me të cilin ka qenë duke lëvizur dhe më pas derdhën breshëri plumbash në drejtim të tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 (18 dhjetor 2024) në lagjen 24 maj’ në afërsi të postës së Çoles.
Tre dyshohet se kanë qenë autorët e përfshirë në atentat, një shofer dhe dy qitës, që qëlluan nga një makinë tip KIA. Makina e autorëve tip KIA u gjet e djegur në fshatin Panaja në autostradën Vlorë-Fier, ndërsa autorët më pas janë larguar në drejtim të paditur. Pikërisht në këtë zonë, policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa, por deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e autorëve.
Grupi hetimor përmes këqyrjes së kamerave të sigurisë në zonë, ka arritur të mësojë se autorët kanë lëvizuar me targa italiane të vjedhura. Ndërkohë, targat nuk janë gjetur në makinën e djegur të autorëve, ndërsa brenda në mjet ishin dy armët, njëra në sediljen e pasagjerit në pjesën e parme dhe njëra pas.
Pas atentatit, 29-vjeçari është nxjerrë nga makina nga kalimtarë të rastit dhe është dërguar në spital. E gjithë zona ku ndodhi atentati ka kamera sigurie që mendohet se kanë filmuar skenën, por dhe lëvizjet e autorëve. Nuk dihet ende e kaluara e 29-vjeçarit dhe nëse atentati ka lidhje me të fortin e Vlorës.
