45 organizata kërkojnë ndalimin e gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI+

45 organizata kanë kërkuar përmes një thirrjeje publike ndalimin e gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI+ në Shqipëri.

“Rritja e retorikës diskriminuese dhe e gjuhës së dëmshme ka arritur nivele shqetësuese, duke paraqitur një kërcënim të konsiderueshëm për dinjitetin, sigurinë dhe mirëqenien e anëtarëve të komunitetit LGBTI+ dhe mbështetësve të tyre. Ndaj ne, organizatat nënshkruese, solidarizohemi në thirrjen tonë për ndalimin e gjuhës së urrejtjes në Shqipëri”, -thuhet në thirrjen publike të organizatave.

Sipas organizatave, gjuha e urrejtjes është një shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe bie ndesh me vlerat themelore të barazisë, respektit dhe përfshirjes që aspiron vendi ynë të mbrojë.

“Përdorimi i saj përjetëson diskriminimin, nxit dhunën dhe krijon një mjedis frike dhe përjashtimi për personat LGBTI+ apo ndaj kujtdo që përdoret. Kjo është e papranueshme në një shoqëri që synon të mbrojë dhe promovojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual apo identiteti gjinor”, -citon më tej deklarata.

Mes të tjerash, organizatat ju kërkuan autoriteteve të marrin masa të shpejta kundër autorëve të gjuhës së urrejtjes për të parandaluar shkeljet e ardhshme.