35-vjeçari hedh shokun nga ura për motive të dobëta. Policia zbulon krimin

Hodhi nga ura për motive të dobëta shokun e tij dhe fshehu krimin, pas kontrolle intensive shërbimet e Policisë gjetën trupin e pajetë të 33-vjeçarit.

Pas veprimeve hetimore të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës nën drejtimin Prokurorisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kontakti”, Policia identifikoi, kapi dhe arrestoi autorin e vrasjes së 33-vjeçarit.

Policia vuri në pranga autorin e dyshuar një 35-vjeçar, që dyshohet se e ka shtyrë me qëllim 33-vjeçarin drejt kanalit.

Shtetasi H. Sh., banues në lagjen nr. 15 Durrës, më datë 04.12.2024, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej datës 02.12.2024, djali i tij shtetasi B. Sh., 33 vjeç, ishte larguar nga banesa dhe kishte humbur kontaktet me të.

Shërbimet e Policisë kryen kontrolle intensive dhe më datën 05.12.2024, kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit H.B.

Nga këqyrja e trupit të viktimës nuk u konstatuan shenja dhune, por nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimeve të tjera hetimore, grupi hetimor krijoi dyshime se ngjarja nuk ishte aksidentale.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore u dokumentua dhe me prova shkencore se shtetasi M. H., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 15 Durrës, më datë 02.12.2024, pas një konflikti për motive të dobëta, ka shtyrë duke e hedhur nga një urë në kanalin e ujërave të zeza shtetasin B. Sh, i cili si pasojë e rrëzimit ka humbur jetën.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, pas një pune intensive hetimore u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të vrasjes së shtetasit B. Sh., 33 vjeç.
Burime u shprehën se ngjarja ka ndodhur pasi viktima i ngacmonte gruan autorit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.