KOSOVË- Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla nënjë deklaratë për mediat është shprehur se një tjetër zyrtar i policisë është lënduar gjatë operacionit.
Ai zbuloi se gjatë ndërhyrjes është zbuluar një sasi e jashtëzakonshme armatimi të rëndë, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada, teksa shtoi se këto ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë.
Sveçla gjithashtu konfirmoi se janë gjithsej 6 të arrestuar, 2 prej tyre të plagosur dhe janë 3 sulmues të vrarë dhe shtoi se forcat policore janë në çdo cep të manastirit.
“Grupe të armatosura sulmuan patrullën tonë dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku. Po ashtu kishim edhe një zyrtar të plagosur dhe një të lënduar. Shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe të afërmve të viktimës. Pas kësaj përgjigja e zyrtarëve të policisë ishte e menjëhershme dhe profesionale, ku për një kohë të shkurtër vendosën territorin nën kontroll. Kishim edhe një tjetër zyrtar lehtë të lënduar, por të tjerët falë profesionalizmit ia dolën pa lëndime e pa viktima të tjera të kryejnë operacionin. Me këtë rast kemi 6 të arrestuar, 2 nga ata të plagosur, me uniformë ushtarake. kemi të paktën 3 sulmues të vrarë. Policia e Kosovës zbuloi një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada. Mund të themi, se ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë. Përgatitjet ishin që në mënyrë masive të sulmonin policinë e Kosovës, institucionet në Kosovës dhe të cenojnë sovranitetin e vendit. Ata dështuan falë sakrificës dhe profesionalizmit të Kosovës. Ata i bënë sot nder jo vetëm kujtimit të Afrim Bunjakut por gjithë Kosovës. Ky është grup terrorist.”, u shpreh ai.
ÇFARË NDODHI SOT NË VERI TË KOSOVËS?
Një pjesëtar i policisë së Kosovës është vrarë dhe 2 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me armë në Zveçan. Policia e Kosovës ka bërë me dije se njëri prej sulmuesve në veri, përkatësisht në zonën e fshatit Banjskë, është vrarë në shkëmbimet me armë zjarri me eketivët e policisë së Kosovës në Manastir. Kryeministri Kurti bëri me dije se në Manasitur janë ngujuar 30 serbët e armatosur dhe shkëmbejnë zjarr me efektivët e policisë së Kosovës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:34 të mëngjesit të 24 shtatorit 2023 kur në hyrje të fshatit Banjskë, në urë janë vendosur dy mjete të rënda kamionë pa targa, duke e bllokuar lëvizjen. Autoritetet e Kosovës fajësojnë Serbinë për vrasjen e efektivit dhe situatën e krijuar. Tensionet ende vijojnë.
