Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali dhe në Kosovë. Pashtrik Krasniqi, 21 vjeç, ka humbur jetën tragjikisht ditën e djeshme, ndërsa ishte në vendin e punës në Itali.
Sipas të dhënave paraprake, i riu kosovar u godit fatalisht nga rryma elektrike, ndërsa ndodhej mbi një platformë pune në një lartësi prej gjashtë metrash. Për fat të keq, goditja elektrike rezultoi fatale dhe i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.
Lajmi i hidhur ka prekur thellë familjen dhe të gjithë ata që e njihnin Pashtrikun. Reagimi më prekës ka ardhur nga babai i tij, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e të birit:
“Ma këpute shpirtin, Pashtrik.”
“Biri im, Allahu të paska dashur më shumë se të gjithë ne. Lus Allahun të jesh njëri prej banorëve të Xhenetit.”
Ngushëllimet kanë qenë të shumta nga familjarë, miq dhe bashkëatdhetarë që kanë shprehur solidaritetin me familjen Krasniqi në këto momente të vështira.














