Një banesë e braktisur ka marrë flakë mesditën e së djelës në lagjen 5 Maj të qytetit të Elbasanit. Në alarm u vunë banorët përreth pasi banesa ndodhet në një rrugicë me shtëpi përdhese ngjitur njëra-tjetrës. Ekipi zjarrfikës ka ndërhyrë menjëherë edhe pse ka hasur vështirësi për shkak të rrugëve të ngushta.
Zjarri është vënë në kontroll dhe brenda një kohe të shkurtër situata është normalizuar. Rreziku ishte tepër i madh pasi nëse zjarri do të përhapej do rrezikoheshin me dhjetra banesa ngjitur.
Nuk dihen ende shkaqet e rënies së zjarrit pasi shtëpia nuk kishte linjë elektrike. Mendohet të jetë zjarrvënie e qëllimshme, por këtë pritet ta zbardhin hetimet në vazhdim.