Zjarri në Landfillin e Elbasanit, riaktivizohet vatra – situata mbetet problematike

Elbasan – Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme fushën e mbetjeve në landfillin e Elbasanit. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke gjeneruar tym të dendur që ka krijuar shqetësim të ndjeshëm për komunitetin përreth.

Sipas informacioneve paraprake, forcat zjarrfikëse janë në terren dhe po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Megjithatë, rreziku mbetet ende i lartë për shkak të terrenit të vështirë dhe materialeve të djegshme të pranishme në zonë.

Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarret dhe Shpëtimit, z. Arben Cara, deklaroi se operacioni për fikjen e zjarrit është kompleks. “Terreni e bën të vështirë ndërhyrjen efikase. Jemi duke punuar për të mbajtur nën kontroll përhapjen,” tha ai.

Sa i përket shkakut të zjarrit, autoritetet thonë se është ende herët për të nxjerrë përfundime, ndërsa priten hetime të mëtejshme nga strukturat përgjegjëse.