Zjarri në fushën e mbetjeve, reagon Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar

Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar kërkon zgjidhje të përhershme për situatën e inceneratorit në Elbasan

Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar shpreh shqetësimin e thellë për situatën alarmante të ndotjes së ajrit në qytetin e Elbasanit, si pasojë e mosfunksionimit të inceneratorit ekzistues dhe shpërthimeve të përsëritura të zjarreve në landfill.

Kjo situatë përbën një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe një kërcënim të vazhdueshëm për mjedisin dhe të ardhmen e brezave të rinj. Në këtë kuadër:

1. I bëjmë thirrje Qeverisë së Shqipërisë të ndërmarrë me urgjencë investimin për ndërtimin e një inceneratori të ri, sipas standardeve bashkëkohore, që garanton mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.

2. U bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë me përparësi dhe të çojnë përpara drejtësisë të gjithë ata individë apo struktura që kanë abuzuar me fondet dhe menaxhimin e inceneratorit të mëparshëm, tashmë jashtë funksionit.

3. Kërkojmë nga institucionet vendore dhe kombëtare të bashkëpunojnë ngushtësisht për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë për këtë problem që përsëritet çdo vit.

Ne falënderojmë institucionet përgjegjëse, lokale dhe qendrore, për përpjekjet e deritanishme në shuarjen e zjarreve dhe stabilizimin e situatës.

Qendra jonë beson se një mjedis i pastër, i krijuar nga Zoti, është një e drejtë themelore për çdo qytetar dhe një detyrim moral për çdo shoqëri që synon zhvillim të qëndrueshëm, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë.