Zjarri i madh në tregun e rrobave të përdorura në Tiranë

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e sotme tregun e rrobave të përdorura në zonën e njohur si ‘5 Maji’ në Tiranë, duke shkaktuar panik dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në disa njësi tregtare, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Sipas informacioneve paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale pritet të jenë të mëdha. Dyshohet se zjarri ka nisur fillimisht në një dyqan dhe më pas është përhapur në të gjithë tregun, i favorizuar nga materialet e djegshme dhe afërsia mes njësive.

Zona është e mbuluar me kabuj elektrikë, çka e ka bërë ndërhyrjen më të rrezikshme për ekipet e emergjencës. Për këtë arsye, autoritetet kanë marrë vendim për ndërprerjen e energjisë elektrike në të gjithë perimetrin përreth, si masë sigurie.

Shkaqet e sakta të zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet një njoftim zyrtar nga autoritetet pas përfundimit të hetimeve.

Në rrjetet sociale po qarkullojnë pamje dhe video nga momentet dramatike të përfshirjes së tregut nga flakët.