Finiq, 10 Gusht 2025
Vatrat e zjarrit në bashkinë Finiq vijojnë të jenë aktive edhe këtë të dielë, duke përfshirë fshatrat Velahovë, Livinë, Ardhasovë, Bistricë dhe Krongj. Flakët, të favorizuara nga era e fortë gjatë natës, u përhapën me shpejtësi, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë me forca të shtuara.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se banorët e fshatrave Livinë dhe Ardhasovë u evakuuan përkohësisht, ndërsa u ofrua asistencë mjekësore për personat e moshuar. Ai njoftoi gjithashtu se u arrit të ndalohej përhapja e flakëve që rrezikonin Hidrocentralin e Bistricës, ku pritet ndërhyrje edhe nga ajri.
Forca zjarrfikëse nga bashkitë Finiq, Delvinë, Konispol dhe Sarandë, të mbështetura nga efektivë të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit, vijojnë punën në terren për izolimin e zjarreve dhe mbrojtjen e banesave e bizneseve të rrezikuara.
Për arsye sigurie, qarkullimi i automjeteve në aksin Muzinë – Bistricë do të mbetet i kufizuar deri në përfundim të operacioneve. Autoritetet paralajmërojnë se rreziku i riaktivizimit të vatrave mbetet i lartë për shkak të erës dhe temperaturave të larta që priten gjatë ditës.













