DURRËS- Një jaht u zhduk përkohësisht nga vendi ku ishte ankoruar në Portin e Durrësit. Pronari i mjetit lundrues, Dorian Alikaj pas zhdukjes së jahtit ka kallëzuar rastin në polici dhe në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar 3 persona.
Alikaj është njoftuar rreth orës 14:00 se mjeti i tij mungonte dhe menjëherë ka bërë denoncimin. Pas denoncimit, jahti është vënë re teksa rikthehej në vendin e mëparshëm të ankorimit, ish-kalatën e peshkimit, ndërsa personat që ndodheshin në bord janë shoqëruar në komisariat për të sqaruar rrethanat.
Ende nuk dihet se si kanë arritur të ndezin mjetin lundrues, pasi çelësat e tij ndodheshin në ruajtje nga kapiteni i jahtit, Memet Ayhan Ulus. Burime nga policia bëjnë me dije se tre persona janë duke u marrë në pyetje për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
