Tiranë, 30 mars 2026 – Drejtori i ri i Policisë së Shtetit është emëruar Skënder Hita, i cili zëvendëson në këtë detyrë Ilir Prodën. Vendimi është miratuar gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave dhe është bërë publik nga Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Sipas Lamallarit, emërimi i Hitës është bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet, pas një procesi konkurrues ku ai është renditur ndër kandidatët më të vlerësuar.
Në një deklaratë zyrtare, ministri theksoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe dhënien e gradës “Drejtues Madhor” për Hitën, duke vlerësuar përvojën e tij të spikatur, vizionin strategjik dhe angazhimin ndaj zbatimit të ligjit.
“Policia e Shtetit ka një rol kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Drejtimi i saj kërkon aftësi profesionale, ndershmëri dhe përgjegjësi të lartë publike,” u shpreh Lamallari, duke shtuar se beson që nën drejtimin e ri institucioni do të forcojë performancën dhe besimin e qytetarëve.
Emërimi i Hitës vjen në një moment kur sfidat për sigurinë publike dhe forcimin e shtetit të së drejtës mbeten prioritare për institucionet ligjzbatuese në vend.













