Zgjedhjet në RMV/ Shqiptarët humbin komunën e Kërçovës pas 16 vitesh. VMRO e Mickoskit merr drejtimin e qytetit

Pas 16 vitesh nën drejtimin kualicionit të shqiptarëve AKI, Kërçova kthehet sërish në duart e VMRO-DPMNE-së.

Kandidati i kësaj partie, Aleksandar Jovanovski, ka fituar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, duke mposhtur Fatmir Deharin, kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) dhe kryetarin aktual të komunës.

Sipas rezultateve të para jozyrtare, Jovanovski ka siguruar një epërsi prej rreth 2.000 votash, duke arritur kështu një fitore të thellë që shënon një ndryshim historik në balancat politike të kësaj komune.

Në zgjedhjet e kaluara, në vitin 2021, Dehari kishte mposhtur pikërisht Jovanovskin, duke e ruajtur atëherë Kërçovën në duart e shqiptarëve. Por këtë herë, përmbysja e rezultatit reflekton një mobilizim të madh të elektoratit maqedonas dhe një pjesëmarrje më të ulët të votuesve shqiptarë, përfshirë edhe ata nga diaspora.

Burime nga terreni theksojnë se pjesa më e madhe e votave vendimtare për Jovanovskin erdhën nga vendbanimet maqedonase të komunës, ndërsa votat shqiptare nuk arritën të balancojnë diferencën.

Fitorja e Aleksandar Jovanovskit shënon fundin e një periudhe 16-vjeçare të drejtimit shqiptar në Kërçovë, që filloi me udhëheqjen e Fatmir Deharit dhe vazhdoi me mbështetjen e elektoratit shqiptar në zgjedhje të njëpasnjëshme.

Kështu, në katër vitet e ardhshme, Komuna e Kërçovës do të udhëhiqet nga një kuadër i VMRO-DPMNE-së, ndërsa rezultati pritet të ndikojë ndjeshëm në raportet politike mes komuniteteve dhe partive kryesore në vend.