Zbulohet skema, si reklamonin e më pas shisnin armët grupeve kriminale të rinjtë e arrestuar në Durrës

Dy të rinjtë e arrestuar Hekuran Troplini 19 vjeç dhe Emiljano Pasho 20 vjeç u arrestuan nga policia e Durrësit gjatë një afere për shitjen e 4 kallashnikovëve. Shitja ka qenë e stimuluar.
Burime nga policia për Report Tv bëjnë me dije se fotot ky shihen dy të rinjtë shërbenin për marketingun që të rinjtë bënin për të shitur armë. Po sipas policisë ata shfrytëzonin zonat periferike për të shitur armatime dhe municione sikurse ndodhi edhe ditën që u kapën në flagrancë nga policia e Durrësit.
Madje gjatë procesit të shitjes të rinjtë kujdeseshin deri në detaj që të mos linin gjurmë për të rënë në rrjetën e policisë. Armët të cilat i tregtonin, nuk i preknin kurrë pa mbulesë ose pa doreza në mënyrë që të mos linin gjurmë të gishtave të tyre në to. Të njëjtin kujdes tregonin edhe gjatë momentit kur çonin armën e porositur tek personi i interesuar.
Armës i hiqnin shulin dhe fshihnin në pjesë të vjetra makinash më mënyrë që edhe nëse do të kapeshin nga policia ekspertiza të mos e nxirrte armën e rregullt e në këtë mënyrë të mos arrestoheshin për armëmbajtje. Pjesa e hequr e armës i dërgohej në një moment tjetër personit që kishte blerë armën.
Brenda në bazën e zbuluar një ditë më parë u gjetën dhe u sekuestruan 4 kallashnikovë me 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 1 motomjet që shërbente për të lëvizur dhe transportuar armët e municionin, me qëllim shitjen, 63 700 lekë dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa. Policia dyshon se në këtë grup ka dhe persona të tjerë prandaj po bëhet një hetim më i thelluar. Ndërkohë që armët janë dërguar në laboratorin qendror për të parë nëse janë përdorur në vepra kriminale apo jo.