Zbulohet shtëpia e barit në Koplik, në banesën e 64-vjeçarit 700 rrënjë kanabis rriteshin me llamba

Policia e Shkodrës ka zbuluar një shtëpi bari në Koplik gjatë kontrollit të banesës së 64-vjeçarit Ramiz Nikdukaj.

Banesa e tij  ishte përshtatur si një ambient për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet llampave elektrike.

Në banesën e 64-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan, rreth 22 kilogramë kanabis, 455 bimë narkotike të kultivuara si dhe 245 të tjera, në oborrin e banesës së tij.

Ndërkohë, gjatë operacioni policia arrestoi një 34-vjeçar me iniciale A.L dhe një 64-vjeçar me iniciale B.K të cilët u kapën duke punuar në ambientet e banesës ku kultivohej kanabisi.

Policia shpalli në kërkim Almir Nikdukaj, djalin e Ramiz Nikdukaj, dhe u procedua në gjendje të lirë vajza e shtetasit Ramiz Nikdukaj me iniciale E. N., si dhe u proceduan në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, 2 elektricistë të zonës, shtetasit P. I. dhe G. B.

“Ndërsa gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ramiz Nikdukaj, 64 vjeç, banues në Koplik, u zbulua një ambient i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike nëpërmjet llambave. Në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan rreth 22 kilogramë kanabis sativa, 455 bimë narkotike të kultivuara në ambientin me llamba, si dhe 245 bimë të tjera narkotike të kultivuara në oborrin përreth banesës së këtij shtetasi. Shtetasi Ramiz Nikdukaj u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Kultivmimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike.” U arrestuan në flagrancë edhe shtetasit A. L, 43 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan, dhe B. K., 64 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan, pasi u kapën në flagrancë duke punuar në ambientin në të cilin kultivoheshin bimët narkotike, me anë të llambave.” – njofton policia.