Shtatë punonjës të Policia e Shtetit janë pezulluar nga detyra për shkelje disiplinore, në lidhje me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Kurtaj, në Peqin.
Hetimi disiplinor është zhvilluar nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, pas zbulimit të dy ambienteve të mbyllura ku kultivoheshin bimë narkotike më 19 mars 2026.
Punonjësit e pezulluar janë:
Komisar A. G., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Peqin;
Komisar D. K., me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Nënkomisar S. D., me detyrë Specialist i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Inspektor M. Z., me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Nënkomisar B. L., ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht Shef i Komisariatit të Policisë Devoll;
Komisar D. S., ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll;
Inspektor A. K., ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht trupë shërbimi në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj tyre është marrë masa e pezullimit për “moszbatim haptazi të dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale”.
Policia e Shtetit thekson se mbetet e vendosur për të goditur kultivimin e bimëve narkotike dhe për të ndëshkuar çdo punonjës që nuk përmbush detyrën apo bëhet pjesë e paligjshmërisë.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të përgjegjësive.












