Autoritetet greke kanë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë ku brenda një makine të djegur u gjet trupi i një personi, që dyshohet të jetë shqiptar.
Gjatë ekspertizës mjeko-ligjore, specialistët kanë gjetur një objekt metalik në trupin e viktimës, që mendohet të jetë plumb ose copë plumbi. Kjo ka ngritur dyshimin se ai mund të jetë qëlluar para se automjeti të digjej, për të fshirë gjurmët e autorëve.
Policia ka marrë mostër ADN-je nga vëllai i një ndërtuesi shqiptar të zhdukur, për të konfirmuar nëse ai është viktima. Rezultatet pritet të publikohen së shpejti.
Të dhënat e hetimit tregojnë për një ngjarje të mirëorganizuar, të ngjashme me një rast tjetër të ndodhur në Fokida, ku u përdorën automjete të vjedhura dhe me targa false që më pas u dogjën.
Hetimet po drejtohen nga Drejtoria e Hetimeve të Vrasjeve dhe ajo e Krimit të Organizuar, ndërsa autoritetet po krahasojnë zhdukjet e fundit me analizat laboratorike dhe pamjet e sigurisë.
Sipas burimeve hetimore, nuk përjashtohet mundësia që pas kësaj ngjarjeje të qëndrojë një grup i strukturuar kriminal, që mund të ketë vepruar në disa zona të Greqisë Qendrore.













