Zbardhet vendimi i Strasburgut për Kastriot Ismailaj: Duhet të dëmshpërblehet

TIRANË- Është zbardhur vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Strasburgut) për çështjen e Kastriot Ismailajt.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se Strasburgu ka vlerësuar mënyrën se si drejtësia shqiptare ka gjykuar mbi pasuritë e tij, dhe ka kërkuar që ish-bisnesmeni të dëmshpërblehet.

Vendimi është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare.

Në vendimin e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, kërkuesit kërkuan një shumë prej 45,000 eurosh (15,000 euro secili) për dëm jopasuror, duke pretenduar stres, pasiguri dhe humbje të mundësisë procedurale për shkak të procesit gjyqësor në Shqipëri.

Gjykata vendosi t’u akordojë kërkuesve në total 3,500 euro për dëm jopasuror, plus çdo taksë të zbatueshme.

Ndërkohë, një tjetër çështje e tij, ajo që lidhet me kërkesën për shfuqizimin e dënimit me 11 vite burg, është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese para dy javësh dhe ende nuk është depozituar në Strasburg./Top Channel