Zbardhet ngjarja në Korçë/ Pronari i servisit u godit me gërshërë, 3 të tjerë u plagosën në krah, shpatull dhe fytyrë

Një sherr i dhunshëm ka ndodhur ditën e sotme mes disa të rinjve në një servis makinash në Korçë ku mësohet se ka mbetur i plagosur njëri prej tyre.

Burimet bëjnë me dije se është goditur me gërshërë Renaldo Xhixho i cili ka pësuar dëmtime e për rrjedhojë është nisur drejt spitalit me urgjencë. Ai është pronar i një servisi për shërbim tapicerie në lagjen 10.

Ndërsa mësohet se disa persona të tjerë i kanë shkuar pranë servisit ku janë konfliktuar e debati mes tyre ka përshkallëzuar deri në dhunë fizike, ku Xhixho ka mbetur i plagosur.

Burime nga spitali bëjnë me dije se të plagosur kanë mbetur edhe tre personat e tjerë të përfshirë në konflikt, E.Th, E.D, L.M, të cilët kanë dëmtime: njëri në shpatull dhe krah, tjetri me plagë në fytyrë dhe i fundit më pak i lënduar.

Paraprakisht dyshohet se dhe të tjerë kanë mbetur të lënduar nga konflikti i dhunshëm. Deri më tani nuk ka detaje të plota mbi gjendjen e tyre apo rrethanat e konfliktit.