Vrau dhëndrin para Gjykatës/ Burg përjetë për Mexhit Picarin, sa vite pritet të dënohet e bija

Prokuroria e Tiranës ka këkruar ditën e sotme dënimin me burgim të përjetshëm të Mexhit Picarit, i akuzuar për vrasjen e dhëndrit të tij në vitin 2021.

Po ashtu, Prokuroria ka kërkuar dhe dënimin me 35 vite burg për të bijën Dhurata Saliasin Picari.

Ata akuzohen për vrasjen e ish-dhëndrit Kudret Saliasi, pranë gjykatës së Tiranës në qershor të vitit 2021, pasi Dhurata dhe Kudreti u divorcuan.

Në atë kohë, si pasojë e të shtënave me armë mbeti i plagosur edhe avokati i viktimës, Adriatik Cama. Gjatë kohës kur zhvillohej gjyqi, Mexhit Picari ka mohuar që vajza e tij të kishte dijeni për vrasjen, ndërsa të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe vetë Dhurata, e cila ka deklaruar se nuk e dinte që babai i saj do kryente vrasjen, pasi në të kundërtën s’do e kishte lejuar kurrë.

“Atë ditë isha për gjykatë. S’e dija që babi do bënte vrasje. S’do e lejoja kurrë. Kudreti ishte babai i fëmijëve të mi, s’do e lejoja. Kërkoj mëshirë nga Gjykata, kam tre fëmijë për të rritur”, ka thënë Dhurata.